Kryeministri Rama në një bashkëbisedim me gazetarët në Vjenë ka folur për kërcënimin që mund t’i kanoset Shqipërisë nga Irani për shkak të aleancës së saj me SHBA. Shqipëria ka strehuar muxhahedinë të përndjekur nga regjimi iranian, por Rama thotë se kjo çështje nuk është në raport të drejtpërdrejtë me Shqipërinë, por ai shtoi se Shqipëria është në kontakt me aleatët strategjikë si dhe deklaroi se aleanca me SHBA është e panegociueshme.
Kryeministri shqiptar theksoi se vendi nuk ekspozohet nga një kërcënim i mundshëm si rrjedhojë e përballjes Iran-SHBA.
“Së pari kjo është një temë dhe një çështje që nuk është e re për ne në raport me Iranin. Ne kemi ndërmarrë një veprim që i bën nder Shqipërisë që është në vazhdën e traditës shqiptare dhe në vazhdën e një aleance strategjike të panegociueshme me SHBA, për t’i hapur dyert një grupi njerëzish që i rrezikohet jeta.
Siç shkruhet edhe në marrëveshje, ata në Shqipëri janë si operacion humanitar dhe jo politik.
Nuk besoj se kjo e ekspozon në mënyrë të veçantë Shqipërinë dhe nuk kemi arsye të besojmë këtë sepse jemi në kontakt premanent me aleatët tanë dhe kur është puna te inteligjenca ata janë të pakonkurrueshëm. Jemi në duar të sigurta kur është fjala te marrja e informacionit”, u shpreh Rama.





