Kryeministri Edi Rama vizitoi sot zyrat e OSBE në Vjenë, ku Shqipëria do të marrë nesër kryesinë dhe do ta drejtojë atë përgjatë vitit 2020.
Kryeministrit iu bë me dije se pjesë e stafit janë 18 shqiptarë ndërsa pjesë tjetër janë 2 gjermanë, 2 italianë, 2 norvegjezë, një zvicerianë, austriak.
Në një bashkëbisedim me gazetarët, kreu i qeverisë foli edhe për krizën politike në vend, ndërsa u shpreh se është tejkaluar fjala “e madhe” dhe se janë në proces dakordësimi me opozitën sa i përket reformës zgjedhore.
“Sa i përket krizës së madhe politike, është tejkaluar fjala e madhe. Është një krizë artificiale e injektuar në politikën shqiptare, por e rëndësishme është që jemi në një proces dakordësie lidhur me Reformën Zgjedhore. Pikërisht implementimin e rekomandimeve të OSBE.
Nuk mendoj që në këtë familje përfaqësojmë ndonjë vend me ndonjë krizë të veçantë. Ajo që është fakt është që opozita ka shprehur dakordësinë për t’u përfshirë në proces. Kjo është një shenjë shumë e mirë”, tha Rama.
Ndërsa u ndal tek paketa Antishpifje, kryeministri Rama tha se të gjitha kundërshtitë vijën si rezultat i mosleximit të ligjit.
“Gazetarët e pakënaqur me ligjin duhet të lexojnë ligjin. Kjo nuk është një çështje e OSBE, OSBE e ka miratuar, jemi të gatshëm të ofrojmë asistencë teknike për lexim, kush është i pakënaqur të lexojë ligjin sepse pakënaqësitë e treguara vijnë si rezultat i mosleximit”, u shpreh kryeministri.





