Në një dalje për mediat, Sekretari i Përgjithshëm i PD-së, Gazment Bardhi deklaroi se Partia Demokratike po punon dhe shumë shpejt do provojë për opinionin publik se Edi Rama i Mallakastrës ka të shkuar kriminale dhe në bazë të ligjit të dekriminalizimit nuk duhet të ushtrojë asnjë funksion publik.

Nga selia blu, Bardhi akuzoi kryebashkiakun e Mallakastrës, Qerim Ismailaj se ka shkelur ligjin e dekriminalizimit dhe ka fshehur të kaluarën e tij kriminale.

“Sot PD i ka kërkuar zyrtarisht Prokurorisë së Përgjithshme verifikimin e të kaluarës kriminale të Edi Ramës së Mallakastrës. Sipas të dhënave të mbledhura nga PD, Qerim Ismailaj rezulton se ndodhet në kushtet e ndalimit të kandidimit për një post publik. Ky është rasti i katërt pas atij të Shkodrës, Vorës dhe Vau të dejës që konfirmon se Rama ka ardhur në pushtet falë mbështetjes së krimit të organizuar. Si të tjerët dhe Ismailaj u përbetua se nuk ka pasur probleme në Greqi. Ky është mashtrim. Ai njëlloj si Edi Rama e di se është i dënuar në Greqi. PD po punon dhe shumë shpejt do provojë për opinionin publik se Edi Rama i Mallakastrës ka të shkuar kriminale dhe në bazë të ligjit të dekriminalizimit nuk duhet të ushtrojë asnjë funksion publik. Çfarë i kujton Edi Ramës së Mallakastrës data 25 shkurt e vitit 2000? Sot nuk është koha për mashtrime, është koha për veprime nga organi i prokurorisë. Koha që ligji të veprojë”, u shpreh Bardhi.