Partia Demokratike ka bërë denoncimin e radhës për kryebashkiakët fitues të zgjedhjeve të 30 Qershorit.

Kësaj radhe, selia blu kërkon verifikimin për kryetarin e Bashkisë së Mallakastrës, Qerim Ismailaj.

Në një shkresë dërguar sektorit të Dekriminalizimit në Prokurorinë e Përgjithshme, PD kërkon që të verifikohet figura e kryebashkiakut Qerimaj, për të cilin thotë se ka dyshime të arsyeshme se ka qenë i arrestuar ose ndaluar në Greqi në periudhën 1999-2000.

Në atë kohë, thotë PD, autoritetet greke e dënuan dhe më pas dëbuan nga Greqia Qerim Ismailajn. Kërkesa për verifikim i është dërguar Prokurorisë së Përgjithshme nga Sekretari i Përgjithshëm i PD-së, Gazment Bardhi.

“Informacionet e Partisë Demokratike tregojnë se Qerim Ismailaj ka falsifikuar formularin e dekriminalizimit, për shkak se “pyetjeve nëse është ndaluar apo arrestuar ndonjëherë nga organet ligjzbatuese për kryerjen e një vepre penale, nëse është dënuar ndonjëherë nga autoritetet gjyqësore të huaja apo nëse ndaj tij është marrë ndonjëherë masa e dëbimit nga një shtet i huaj, rezulton se i është përgjigjur me JO”,  theksohet në shkresën e Sekretarit të Përgjithshëm, Gazment Bardhi.

Sipas ligjit të Dekriminalizimit, pasqyrimi i të dhënave të pasakta dhe të pavërteta në Formularin e Vetëdeklarimit, përbën vepër penale dhe skualifikimin e menjëhershëm të subjektit nga kandidimi apo ushtrimi i mëtejshëm i funkisonit publik. Në këtë rast, sjell largimin e menjëhershëm nga detyra të kryebashkiakut të Mallakastrës dhe ndjekjen e tij penale.