Katër mijë qytetarë të strehuar në hotelet e Durrësit janë në dilemë të madhe pas njoftimit se në fillim të javës së ardhshme duhet të lënë hotelet ku janë strehuar pas tërmeti të 26 nëntorit.
Të mbetur të pastrehë nga tërmeti, ata thonë se nuk dinë ku do të shkojnë nëse ju duhet të dalin nga hotelet.
Bonusi i dhënë nga bashkia për qira mujore sipas tyre është fare i vogël, ndërkohë që në Durrës qiratë janë rritur, por nuk ka më as banesa thonë ata.
Sipas bashkisë së Durrësit, përgjatë muajit janar pritet të dalë fatura financiare e dëmeve të shkaktuar nga tërmeti.
6 janari është dita kur të pastrehët duhet të lenë hotelet dhe njëkohësisht do të jepet bonusi i qerasë me një kohëzgjatje 12-18 muaj, për 3800 familje të cilave u është miratuar nga Këshilli Bashkiak.
Në Durrës ende nuk ka një statistikë përfundimtare të banesave apo pallateve të deklaruara të banueshme ose jo. Nga 42 mijë vetëdeklarime të banorëve, grupet e vlerësimit kanë mundur të inspektojnë vetëm 31 mijë prej tyre.
Nga këto 12 mijë kanë pësuar dëmtime të renda, por të riparueshme, 1600 dëmtimet në strukturë që i bëjnë të pabanueshme. Pjesa tjetër mbetet ende në proces vlerësimi.
K.H.





