Policia Rrugore e DVP Elbasan, në bashkëpunim me Njësinë Operacionale të Policisë Rrugore, ka finalizuar operacionin “Xibraku”.

Sekuestrohet rreth 11.6 kg lëndë narkotike cannabis sativa, ndërsa është vënë në pranga poseduesi i lëndës narkotike.

Shërbimet e Policisë Rrugore të DVP Elbasan, në bashkëpunim me Njësinë Operacionale të Policisë Rrugore në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së Shtetit, në përmbushje të detyrave të përcaktuara në planin e masave të fundvitit për rritjen e kontrollit, me qëllim parandalimin e aksidenteve rrugore, si dhe evidentimin dhe goditjen e personave që tentojnë për të ushtruar veprimtari kriminale, bazuar edhe në informacionet e marra në rrugë operative se një automjet po transportonte lëndë narkotike në aksin rrugor Elbasan-Librazhd, kanë organizuar punën për bllokimin e mjetit, duke finalizuar operacionin policor “Xibraku”.

Në aksin rrugor Elbasan-Librazhd, ne fshatin Xibrakë, shërbimet e Policisë rrugore kanë ndaluar automjetin tip Hyundai me drejtues shtetasin H. V., banues në fshatin Cfir të Ballshit. Nga kontrolli fizik i këtij automjeti, në bagazhin e tij, punonjësit e Policisë kanë gjetur e konstatuar 2 thasë të mbushur me lëndë narkotike bimore të llojit cannabis sattiva, me peshë totale 11.6 kg.

Në përfundim të veprimeve të kryera nga specialistët për hetimin e narkotikëve në DVP Elbasan u bë arrestimi në flagrancë i shtetasit H. V., 64 vjeç, banues në Ballsh, i dënuar më parë për veprën penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikeve”.

Në cilësinë e provës materiale u sekuestruan lënda narkotike, 2 telefona celular dhe automjeti tip Hyundai në pronësi të shtetasit H. V.

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Elbasan, për veprën penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”.