Shërbimi Social Shtetëror dhe Kryqi i Kuq dega Durrës, prej disa ditësh kanë nisur shpërndarjen e pakove ushqimore dhe higjeno-sanitare për familjet e prekura nga tërmeti i 26 nëntorit.
Shërbimi Social i kërkoi Kryqit të Kuq ndihma për familjet të cilat janë dëmtuar nga tërmeti. Në paketat e ndihmave që Kryqi i Kuq ka siguruar janë ushqime, miell, batanije dhe një kuti me produkte higjeno-sanitare.
Inspektorë të Shërbimit Social thanë se fillimisht janë shpërndarë pako për 250 familje ndërsa pritet që brenda vitit ndihma të marrin një mijë familje, banesat e të cilëve janë shpallur të pabanueshme nga grupet e inspektimit.
Në Durrës deri tani kanë aplikuar rreth 2600 familje për bonusin e qirasë, në bashkinë e Durrësit, lista këto që janë miratuar nga Këshilli Bashkiak i Durrësit, por që bonusi pritet të miratohet në fillim të janarit.
Të gjitha këto familje të cilat kanë lënë apartamentet e tyre të dëmtuara nga tërmeti janë strehuar në hotele, në banesa me qera dhe tek të afërmit e tyre. Për t’ju ardhur sado pak në ndihmë, Shërbimi Social po u jep ndihma ushqimore nëpërmjet Kryqit të Kuq.
K.H.





