Anëtarja e Kryesisë së PD-së, Grida Duma, ndërsa u ndal edhe njëherë në tërmetin katastrofik të 26 nëntorit, tha se ajo ishte një fatkeqësi natyrore dhe njerëzore.
E ftuar në “Mos i fol shoferit”, Duma tha se ka ardhur koha që politikanët të tregojnë se si duhen bërë gjërat, ndërsa dha dhe një mesazh teksa shtoi: “njerëzit do t’i kemi me vete me modelet që tregojmë”.
“Fatkeqësi e madhe, fatkeqësi natyrore, por edhe një katastrofë njerëzore. Aq e dhimbshme është kur humbin jetën dhe në kushtet që nuk i ndihmon dot, është një dhimbje për secilin, një traumë e madhe. Por nga ana tjetër, ata që mbeten e kanë më të vështirë se ata që ikin. Duket se ata që ikin shpëtojnë nga një botë që në Shqipëri nuk është e thjeshtë për t’u përjetuar. Në jetët tona, të mëdha a të vogla, ne e thërrasim shpesh këtë gjendjen e keqe dhe nuk kemi faj se shumë gjëra shkojnë keq. Në një Shqipëri që ka vite në tranzicion, nuk i kontrollojmë dot gjërat. Ne duhet të fillojmë të tregojmë se si bëhen gjërat. Duhet të kuptojmë që njerëzit do t’i kemi me vete me modelet që tregojmë, kur nuk delegojmë përgjegjësinë e të themi kush e ka fajin. Unë e di kush e ka fajin, por e gjitha është a e bëj dot unë ndryshe, ai i bind dot ata që unë e bëj ndryshe?”, tha Duma





