Një ngjarje e rëndë ndodhi orët e para të mëngjesit të ditës së sotme në Ksamil, ku një 21-vjeçar protugez është vrarë me thikë nga Sokrat Vata, i cili punonte si truprojë në lokalin “Principotes”. Pak orë më vonë ai u arrestua në Levan, por para hetuesve ai ka zgjedhur të mos japë asnjë deklaratë dhe shpjegim në lidhje me ngjarjen e rëndë.

Në kuadër të hetimeve janë marrë në pyetje edhe dy shtetasit turq, të cilët fshehën Vatën në bagazhin e automjetit të tyre. Gjatë dëshmisë ata kanë thënë se ishin klientë të rregullt të lokalit “Principotes”, duke shtuar se kishin paguar 29-vjeçarin për shërbime si truproje dhe shoqërues personal.

Më tej, ata kanë deklaruar se e kishin marrë Vatën në automjetin e tyre për shkak të marrdhënies që kishin me të, jo për ta ndihmuar atë të largohej nga policia. Pas kësaj hetuesit kanë marrë në pyetje edhe miqtë e viktimës, të cilët kanë deklaruar se përplasja ka nisur pas ngacmimit të një vajze brenda ambienteve të lokalit.

Por situata është përshkallëzuar gjë e cila ka përfunduar në përleshje fizike. Në konflikt kanë ndërhyrë edhe punonjësit e sigurisë, mes tyre edhe autori i krimit të rëndë Sokrat Vata. Miqtë e viktimës kanë deklaruar se 20-vjeçari portugez kishte ndërhyrë për të ndarë personat e përfshirë në sherr, por më pas është plagosur me thikë.