Përfundon me sukses faza e dytë e projektit “BE INCLUSIVE” për fëmijët me aftësi ndryshe në Durrës, i cili ka rezultuar i suksesshëm gjatë këtyre muajve.

Përgjatë dy fazave të para, fëmijët me Aftësi Ndryshe, kanë zhvilluar aktivitete sportive të përshtatura sipas aftësive të tyre dhe sipas nevojave specifike, të cilat përfunduan tani në muajin dhjetor me rastin e festave. Ndërsa në muajin janar do të zhvillohet faza e tretë, që është edhe etapa e fundit e projektit.

Francesco Vitobello, ekspert i aktiviteteve sportive dhe njëherësh menaxher i projektit, thotë për “DurrësLajm”, se shërbimi që kanë marrë këta fëmijë nuk është thjesht në kuadrin e aktivitetit sportiv, por është përfshirë edhe angazhimi me fizioterapistë e psikologë; pra një skuadër e madhe që synon shërbim cilësor për shëndetin psiko-fizik dhe social të fëmijëve. 

“Është hera e parë që aplikohet në këto lloj aktivitetesh edhe shërbimi psikologjik, me objekt sportin. Jo vetëm në aspektin fizik, por edhe atë social, që luan një rol të rëndësishëm po ashtu. Sporti ndihmon në jetën sociale të gjithësecilit, për autonomi dhe pavarësi, dhe ndaj këto aktivitete janë përshtatur me programe specifike enkas për fëmijët në bazë të nevojave individuale”, thotë Vitobello, menaxheri i projektit nga qendra sportive “Juvenilia 2014”.

Nga ky projekt është bërë e mundur gjithashtu që të mos përdoret më termi “AK – (Aftësi të Kufizuara)”, por “AN – (Aftësi Ndryshe)”. Vitobello vë theksin te gjithçka që ka të bëjë me pozivitivitetin dhe përmirësimin e jetesës së këtyre fëmijëve, duke nisur që nga zbukurimi i konceptit të termit emërues.

*Projekti “Përfshirja dhe integrimi social i fëmijëve me aftësi të kufizuara” duke shfrytëzuar rolin social që ka sporti, organizohet nga Qendra Edukative Sportive dhe Kulturore “Juvenilia 2014”, në kuadër të Programit Rajonal për Demokracinë Vendore në Ballkanin Perëndimor – ReLOaD, i cili financohet nga Bashkimi Evropian (BE) dhe zbatohet nga Programi i Kombeve të Bashkuara për Zhvillim (UNDP), në bashkëpunim me Bashkinë Durrës si një nga 12 bashkitë partnere të programit në Shqipëri.

– Ky projekt pilot synon që rreth 100 fëmijët e regjistruar në Shkollën Speciale për Fëmijët me Aftësi të Kufizuara në Durrës, të jenë përfitues direkt duke synuar një ndikim më të gjerë te komuniteti dhe aksesibilitetin e fëmijëve.

S.L.