Një muaj e gjysmë më parë, një familje e mbërritur para 12 vitesh në Durrës nga rrethi i Skraparit, pas shumë sakrificash blenë një apartament te pallati i të përndjekurve në lagjjen nr.18.

Apartamenti që bleu familja Aliaj është dëmtuar shumë rëndë dhe në të është vënë shiriti i pabanueshëm nga grupet e ekspertëve.

Familjarët kanë mbetur në qiell të hapur. Në një intervistë për "DurrësLajm", bashkëshortët Aliaj tregojnë se pjesën më të madhe të parave për blerjen ë apartamentit i kishin marrë borxh tek të afërmit.

Ata i janë drejtuar sërish rajonit numër 4 për të plotësuar një formular mbi dëmin e shkaktuar në banesë.

"Nuk duam ndihma, duam të dimë ku do të shkojmë? E kemi blerë apartamentin 45 milionë lekë të parregulluar, sa nisëm ta rregullonim. Paratë i kemi borxh e vitin tjetër do aplikonim për të marrë kredi për të larë borxhin. Po flemë në makinë me djalin. Pallati është braktisur nga të gjithë banorët", thotë e zonja e shtëpisë.

11 ditë pas tërmetit tragjik që goditi qytetin bregdetar, bashkia e Durrësit dhe qeveria janë duke zvarritur popullin durrsak të mbetur në mes të katër rrugëve, të pastrehë, të paushqyer, e në të ftohtë.

Pas tërmetit bashkia dhe rajonet në varësi të saj hapën dyert për të marrë ankesat e qytetarëve për dëmet e shkaktuara. Qytetarët nxituan në rajone e më pas në bashkinë e qytetit ku plotësuan formularët përkatës për dëmet që u janë shkaktuar nga tërmeti.

Por pas më shumë se një jave sërish kanë nisur aplikimet. Të gjithë banorët kanë të njëjtin shqetësim, çfarë do të bëhet me banesat e tyre të pabanueshme si pasojë e shkatërrimit nga tërmeti.