Edhe banorët e lagjes numër 7 në Durrës kanë mbajtur frymën pezull pas tërmetit të 26 nëntorit. E rëndë është situata edhe në pallatin ku banon zëvendësministrja e Ministrisë së  Brendshme, Rovena Voda. Komshinjtë dhe të afërmit e saj i kanë bërë thirrje të dërgojë një grup inspektimi për pallatin 6-katësh të ndërtuar në vitin 1990.

Komshinjtë e zv.ministres janë arratisur prej ditësh nga pallati pasi dy katet e para pësuan çarje muresh e suva të rëna, ndërsa i druhen faktit se kollonat mund të kenë pësuar dëmtime, pasi pallati i ndërtuar në '90 me punë vullnetare për punonjësit e policisë nga ish të burgosurit politikë, ka dëmtime të konsiderueshme në fasadë e brenda apartamenteve.

Vjehrri i zv.ministres tha se banesa e saj në katin e dytë, ka dëme të konsiderueshme po Voda nuk e ka vizituar akoma apartamentin, sepse jeton në shtëpi tjetër. 

Banorët në Durrës kanë një shqetësim shumë të madh, gati 10 ditë pas tërmetit katastrofik të 26 nëntorit. Ata kërkojnë që të certifikohen banesat e tyre, të nisë dëmshpërblimi për të dëmtuarit e të gjendet zgjidhje për banesat që kanë dalë të pabanueshme, pasi asnjë prej familjarëve nuk ka mundësi të sigurojë banesë të re me çmimet e tregut.