Klement Çupi, ishte një ndër viktimat e tërmetit tragjik të 26 nëntorit. Edhe pse qëndroi për orë të tëra nën rrënoja, duke komunikuar vazhdimisht me ekipin e shpëtimit, fatkeqësisht nuk mundi të dalë i gjallë nga rrënojat e banesës së tij në Thumanë.

Mediat e huaja i kushtuan rastit të tij një vëmendje të veçantë, si djali shqiptar që njihej vetëm për mirë. Klementi kishte bërë shkollën atje, ndërsa kishte zgjedhur rrugën e ndershme, duke punuar si taksist.

Ai punonte për kompaninë 001 Taxis-Oxford, e cila ka postuar me dhimbje një status në rrjetet sociale, duke shkruar se kanë humbur një prej punëtorëve më të mrekullueshëm.

"Është një trishtim i madh për ne, që kemi humbur një nga shoferët tanë të mrekullueshëm, si pasojë e tërmetit tragjik në Shqipëri. Klem, ishte gjithmonë i buzëqeshur, kishte zemër të artë. Është një humbje e madhe për ne. Klem shkoi në fundjavë në Shqipëri, për të festuar së bashku me familje. Por humbi jetën tragjikisht së bashku me prindërit".