Shkrimtarja e njohur për fëmijë, Myzejen Konduri, njëkohësisht edhe Producente e Miss & Mr Durrësit dhe Miss & Mr Turizmi, bashkë me disa prej fituesve të këtyre eventeve, shkuan sot te fëmijët e traumatizuar nga tërmeti shkatërrimtar i 26 nëntorit, te hotel "Bonito" & "FAFA", ku ata janë strehuar së bashku me familjet e tyre.
Autorja nga Durrësi i dhuroi një nga librat e saj më të bukur “VITI I RI DHE FLUTURZA E BORËS”, duke iu përcjellë vogëlushëve, pak atmosferë nga festa tradicionale e fundvitit.
Më pas, së bashku me Miss Turizmin 2019 Françeska Rustemi, Mr Top Model Kristian Josifi, Miss Buzeqeshjen Anluiza Kovaci, Miss Simpatinë Zira Sabli etj, sfiluan e luajtën me fëmijët… Miss-et iu dhuruan fëmijëve shiritat e tyre të fitores e gëzuan për pak orë…
Myzejen Konduri gjeti forcën për të mbushur me hare zemrat e vogëlushëve të pafajshëm, teksa vetë ka kaluar ditët më të vështira në jetën e saj ashtu si shumë durrsakë të tjerë. Myzejenit iu shkatërrua banesa nga tërmeti i fuqishëm, e teksa rrobat dhe sendet e saj personale i ka shpërndarë tek të njohurit, nuk ngurroi të organizonte këtë aktivitet për t’iu gjendur pranë fëmijëve e për t’u solidarizuar me të prekurit nga tërmeti që ka lënë pasoja të rënda në vendin tonë…





