Të gjithë mbajnë veshur këmishat e bardha të "mjekëve". Dikush ka syze me ngjyra, të tjerë kanë zgjedhur gërsheta të gjata artificiale dhe gërsheta rrumbullake. Të gjithë kanë hundë të kuqe. Po, ajo e kllounëve, si e Patch Adams. Janë terapistë kllounë nga Brindisi dhe mbërritën në Durrës, për të dhuruar buzëqeshje dhe për të rikthyer sado pak paqen e mendjes për fëmijët dhe familjet, të cilëve tërmeti iu mori gjithçka. Emocionet, shtëpinë, punën.

Grupit të terapistëve iu janë bashkuar edhe nëntë studentë të Psikologjisë nga Universiteti "Aleksandër Moisiu" Durrës. "Kllounët" po ndihmojnë tejkalimin e traumave për familjet e akomoduara në hotele në Golem. Ndërtesat ku ata jetonin u shkatërruan. Ndërtesat e tjera janë të pasigurta dhe janë shpallur tëpabanueshme.

"Nuk mund të qëndronim duarkryq përpara pamjeve që vazhdojnë të dokumentojnë efektet shkatërruese të tërmetit në Shqipëri", thotë Cristiana Zongoli. Ndërkohë në sfond dëgjohen të qeshurat e para të fëmijëve. Ato vijnë nga holli i Hotel Kolaverit, ku mbërritën edhe përfaqësuesit e UNICEF, si pjesë e misionit "Terabithia". Të vegjlit po presin fillimin e pjesës së parë të shfaqjes së cirkut.

"Ne donim të vepronim sa më shpejt për të qenë afër atyre që po jetojnë në kushte dëshpërimi dhe stresi të fortë, që vijnë si rezultat i tërmeteve", thotë Markela, studente e Universitetit të Durrësit.

Tok me 80 vullnetarë të tjerë studentët janë shpërndarë në pikat më nevralgjike të Durrësit dhe rrethinave. Ndihmojnë me regjistrimin e të pastrehëve në Bashki, në pritjen e telefonatave të emergjencës dhe duke ndihmuar dhe shpërndarë ndihma në hotele dhe familje në nevojë.

"Këto ditë shpresojmë t'iu japim të gjithëve një buzëqeshje", thotë Fidania, vullnetare e angazhuar në terren.
Ata kanë një zemër të madhe, të fshehur pas hundës së kuqe.