Prokuroria për Krimet e Rënda ka marrë në pyetje ditën e sotme një prej modeleve të njohura të showbiz-it shqiptar, pasi dyshohet se ajo la lidhje me Redjan Rrajën, një prej autorëve të dyshuar të atentatit në Shkozet, të 6 ditëve më parë.
Sipas raportimeve paraprake në media, modelja Kejvina Kthjella është e lidhur me Redjan Rrajën, autorin e dyshuar të atentatit, i cili është arrestuar 2 ditë pas ngjarjes, në tentativë për t'u larguar nga Shqipëria nga pika kufitare e Muriqanit. Kthjella është pyetur për ngjarjen e 1 nëntorit, pasi i dashuri i saj ka deklaruar se nuk kishte lidhje me atentatin ndaj prokurorit Ndoja dhe se nuk kishte asnjë njohje as me të dhe as me dy personat e tjerë që ndodheshin në makinë.
Rraja i ka thënë organit të akuzës se ditën e ngjarjes ka qenë në shtëpinë e tij në Nikël dhe në Tiranë. Për të vërtetuar dëshminë dhe vendndodhjen e Redjan Rrajës, Prokuroria ka marrë në pyetje dhe modelen e showbiz-it Kejvina Kthjella.
Deri tani nuk dihet se çfarë ka deklaruar modelja pranë organit të akuzës, ndërkohë që gjykata ka dhënë dje ndaj Rrajës masën e sigurisë “Arrest me burg”, pasi në mjetin e atentatorëve u gjetën syzet e tij dhe shenja të shumta gishtash.
Kujtojmë se, pasditen e sotme ka ndërruar jetë në Spitalin e Traumës shoferi i prokurorit Ndoja, Andi Maloku, i cili ndodhej në gjendje kritike prej 6 ditësh.





