Andi Maloku e pagoi me jetë atë që në media është konsideruar si një përplasje mes bandave për pronat në Gjirin e Lalzit. I riu punonte si shofer për prokurorin Arian Ndoja.
Mbrëmjen e atentatit, nëna e 24 vjeçarit mes britmave në spital tha se i biri po jepte jetën për 300 mijë lekë të vjetra dhe fatkeqësisht ashtu ndodhi 6 ditë pas atentatit të rëndë që la të plagosur prokurorin Ndoja dhe të ashtuquajturin “Rrumi”, ose Aleksandër Laho, i konsideruar si i “Forti i Sukthit”.
24-vjeçari nga Tirana kishte punuar më parë si punonjës policie në Krujë dhe prej pak kohësh punonte si shofer i Prokurorit Ndoja. I riu mori një plumb në shtyllën kurrizore, çka rrezikonte ta linte të paralizuar si dhe një plumb në pjesën e mushkërive.
24-vjeçari Maloku mbrëmjen e djeshme ka dalë nga reanimacioni, pasi gjendja e tij ishte më e mirë. Por mëngjesin e sotëm ai ka pasur probleme me frymëmarrjen dhe është ridërguar në reanimacion, (pasi dyshohej për tromboemboli), ku dhe ka ndërruar jetë pas disa orësh.





