“Shtëpinë ku banoja unë e mori një tjetër. Gjykata dha vendim për kthim e kompensim prone, dhe nuk u mor parasysh se mbi atë truall kishte një banesë e një familje. Kështu më përzunë nga shtëpia, dhe mbeta pa shtëpi”.
“Mjerë populli ku është, se gjykatësit dhe prokurorët janë njerëzit më të pasur. Ata kanë vënë miliardat”.
“Vetëm po pate lekë, se ndryshe nuk mbaron dot punë në gjykatë”.
“Peshorja anon andej nga janë lekët, ndryshe në gjykatë nuk zgjidh dot e nuk mbaron dot punë kurrë”.
Këto janë vetëm disa nga perceptimet e popullit durrsak. Qytetarët për çështje të ndryshme i drejtohen gjykatës, por ata thonë se nuk mbarojnë punë asnjë herë në favor të tyre, për aq kohë sa nuk paguajnë.
Sistemi i drejtësisë në Shqipëri është ndër më të korruptuarit, ndërsa deri tani janë shkarkuar mbi 80% e gjykatësve dhe prokurorëve që kanë dalë para KPK-së.
Përfaqësues të sistemit të drejtësisë gjithnjë e më shumë po akuzohen si të lidhur me bandat kriminale, duke iu dhënë favore e marrë prej tyre ryshfete të majme. Pak ditë më parë u plagos një prokuror në Durrës, që sipas kryeministrit është i lidhur me bandat mafioze.
K.H.





