Mbledhja jashtë rradhe e Këshillit Bashkiak Durrës, që do të mbahet pasditen e së mërkurës, në orën 17.00, pritet të hapë dritën jeshile për 2039 familje, që janë dëmtuar nga pasojat e rënda që la pas tërmeti i datës 21 shtator.

Në mbledhjen jashte rradhe për Emergjencat Civile pritet të kalojë pa probleme lista me 2039 familjet që presin dëmshpërblimin nga bashkia dhe ekzekutivi.

Në rendin e ditës së mbledhjes së KB-së është përfshirë vetëm një pikë:

1-Miratimi i kërkesës së Bashkisë Durrës, së bashku me dokumentacionin tekniko-ligjor për akordimin e ndihmës financiare për familjet e dëmtuara nga tërmeti i datës 21.09.2019 dhe dërgimi i dokumentacionit përkatës në ministrinë e Mbrojtjes, programi "Emergjencat Civile".

Grupet e konstatimit dhe verifikimit që ngriti pushteti vendor për nxjerrjen e faturës financiare të dëmeve, përpiluan 2039 dosje ku përfshihen banesat e shpallura të pabanueshme dhe ato që u dëmtuan nga lëkundja sizmike 5.8 ballë.

Në një fazë të dytë do të zbardhen procedurat që do të ndiqen për dëmshpërblimin e dëmeve për të gjithë banorët e prekur.