Redjan Rraja është i arrestuari i parë për atentatin ndaj prokurorit të Durrësit Arjan Ndoja, ndodhur më 1 nëntor te mbikalimi i Shkozetit.

34-vjeçari Rraja, me profesion stomatolog rezulton një emër i njohur për drejtësinë shqiptare, pasi ai është përfshirë në dy ngjarje, që krijuan një impakt të madh në opinionin publik shqiptar, siç ishte vrasja e Elton Çiços dhe dhuna ndaj Xhisiela Malokut.

Nipi i deputetit socialist është dënuar me 8 muaj burg nga Gjykata e Tiranës, pasi u akuzua për "veprime që pengojnë zbulimin e të vërtetës" në vrasjen e mikut të tij, Elton Çiço, më 1 maj 2016 pasi kishte fshehur armën që mbante viktima si dhe telefonin, për të fshehur informacione të tjera.

Rraja ka qenë i ulur në tavolinë me Çiçon, kur ky i fundit është qëlluar me breshëri plumbash, duke mbetur i vdekur në vend. Ndërkohë, emri i tij del edhe në ngjarjen e bujshme të dhunës së ushtruar ndaj Xhisiela Malokut.

Ishte ish-oficeri i Fushë Krujës, Emiljano Nuhu, që kallëzoi në komisariatin numër 6, në Tiranë, se është kërcënuar nga Redjan dhe Ramazan Rraja, për çështjen "Xhisiela".

"Ne e shkrijmë të gjithë komisariatin dhe ty s’të kemi asgjë. Do të të zhdukim ty bashkë me familjen, po thirre më njeri nga fisi jonë ta marrësh në pyetje. Do të zhdukim ty bashkë më familjen tënde për 24 orë nëse vazhdon merresh me ne dhe mos të të shohim më në Fushë Krujë. Ligjin në Fushë Krujë e bëjmë ne dhe jo ti", mësohet se i kishin thënë oficerit Redjan dhe Ramazan Rraja.

Në atentatin e ndodhur katër ditë më parë mbetën të plagosur Arjan Ndoja, prokuror i Durrësit, Pëllumb Muharremi, i njohur si “i forti i Sukthit” dhe Andi Maloku, shoferi i mjetit.