Fatmirësisht ka shpëtuar pa u dëmtuar shoferja e mjetit që u përfshi nga flakët në Bypass-in Shkozet-Durrës. Siç duket edhe nga pamjet filmike të operatorit të DurrësLajm, automjeti është djegur në pjesën më të madhe të tij, ndërsa ishte në lëvizje. Reagimi në kohë i shoferes dhe dalja e saj në momentin e parë që konstatoi flakët, e ndihmoi të dilte e paprekur nga zjarri që përfshiu menjëherë automjetin e saj.
Ky ishte automjeti i dytë që u dogj në Durrës gjatë ditës së sotme. Kujtojmë që paraditen e sotme, një mjet tip Benz, me drejtues shtetasin F. Rr., shpërtheu në flakë teksa ishte në ecje në Sukth dhe u shkrumbua plotësisht.
Fatmirësisht drejtuesi ka mundur të ndalojë dhe të dalë nga makina pa u lënduar. Në të dy rastet, ndërhyrja e zjarrfikësve bëri të mundur vetëm shuarjen e flakëve, pasi nga mjetet nuk ka mbetur thuajse asgjë.





