Humbja në ndeshjen e fundit në shtëpi në finalen e kampionatit amerikan të bejsbollit, MLB, bëri Hjuston Astros të shihnin Uashington teksa fitonte në fushën e tyre trofeun dhe padyshim u theu zemrën shumë tifozëve të kësaj skuadre.

Por ai që e ka ndjerë më shumë këtë situatë është biznesmeni amerikan, Xhim Mekingvejl, i cili tashmë ka 13 milionë dollarë më pak në llogarinë e tij pasi i ka vënë bast për këtë ndeshje.

Sipas “The Action Network”, Mekingvejl ka kaluar kohën e fundit duke vendosur baste me shuma të ndryshme në kompani të ndryshme për të arritur këtë shifër rekord.

Biznesmeni në fakt e kishte kthyer në një fushatë të mirëfilltë komerciale për biznesin e tij të orendive shtëpiake. Ai kishte deklaruar se nëse Astros fitonin titullin, do të rimbursonte të gjithë ata që kishin shpenzuar më shumë se 3000 dollarë në dyqanet e tij.

Nëse Hjuston do të siguronte titullin, atëherë ai do të kishte fituar një shifër prej rreth 25 milionë dollarësh dhe do të kishte pasur fondet e mjaftueshme për të paguar të gjithë blerësit. Tani, thjesht do të duhet të mendojë si të fitojë përsëri sa më shpejt 13 milionë dollarët e humbur.

“Do ta bëja përsëri nesër, e rëndësishme është që hyra në histori”, tha ai për mediat amerikane.