Reshjet e dendura të shiut gjatë mëngjesit të kësaj të hëne në Durrës kanë krijuar problematika të shumta në qytet, sidomos përsa i përket lëvizjes së këmbësorëve dhe automjeteve.
Reshjet kanë krijuar probleme edhe përsa i përket mbarëvajtjes së procesit mësimor në shkollat e qytetit, pasi për shkak të reshjeve të dendura dhe rrugëve të përmbytura nxënësit kanë mbërritur me vonesë.
Drejtoresha e ZVA Durrës, Erjeta Alhysa bën të ditur për "DurrësLajm" se në disa shkolla procesi mësimor ka nisur me vonesë, pasi nxënësit kanë hasur vështirësi për të mbërritur në orar për shkak të rrugëve të bllokuara.
Në disa shkolla mësimi po bëhet me orë të shkurtuara, ndërkohë që sipas të dhënave të kësaj drejtorie vetëm në shkollën "Hasan Koçi" është përmbytur oborri nga reshjet. Me pushimin e reshjeve dhe largimin e ujërave, situata është normalizuar.
Reshjet e dendura të shiut rikthyen fenomenin e përmbytjeve në qytetin bregdetar mëngjesin e ditës së parë të kësaj jave.
Në rrjete sociale janë postuar me dhjetëra video që dëshmojnë situatën e vështirë të krijuar në shumë rrugë të qytetit nga niveli i ujit që arrinte në disa centimetra.
Për nxënësit e shkollave dhe kalimtarët lëvizja në disa rrugë ishte thuajse e pamundur ose u duhej të bënin akrobaci për të shpëtuar pa lagur këmbët.
Investimet e realizuara vitet e fundit në rrugë e kanalizime duket se nuk kanë dhënë frytet e dëshiruara.
Miliona euro investime dhe rezultati është po i njëjti, qyteti përmbytet sërish. Durrësi vazhdon t’i përngjajë Venecias edhe pse këto ishin reshjet e para pas një thatësire disa mujore.
M.B.





