Azilkërkuesit shqiptarë janë shfaqur si problem edhe në Irlandë. Kryeministri i vendit, Leo Varadkar tha se shqiptarët dhe gjeorgjianët janë të parët për sa i përket numrit të azilkërkuesve.

Varadkar u shpreh se emigrantët nga dy vendet e Evropës Lindore udhëtojnë drejt shtetit të tij me dokumente false.

Një total prej 460 shtetasish shqiptarë kërkuan statusin e refugjatit në Republikën e Irlandës në vitin 2018, duke përfaqësuar 13% të azilkërkuesve.

Pas saj vjen Gjeorgjia me 450 aplikues për azil ose 12% të totalit, ndërsa vendin e tretë e mban Siria me 330 aplikues ose 9%.

Në një intervistë për Sunday Independent, Varadkar tha se po rriten kontrollet në aeroporte për të ndaluar hyrjen e paligjshme dhe se masat kanë efekt.

"Ka shumë mënyra për të hyrë në Irlandë legalisht me vizë ose leje pune, kështu që ne nuk mund të tolerojmë hyrjen e paligjshme,"-tha ai.