"Po vijon ndjekja e situatës dhe problematikave të krijuara në qarkun e Durrësit nga termeti i datës 21.09.2019. Për këtë qëllim sot në Institucionin e Prefektit të Qarkut Durrës u zhvillua një takim ku ishin të pranishëm përfaqësues nga Ministria e Mbrojtjes, nënkryetarë të bashkive Durrës, Shijak si dhe administratorët e njësive administrative pranë këtyre Bashkive." – njofton prefektura në rrjete sociale.

Pas verifikimeve dhe vleresimit në terren nga grupet e punës të cilët kanë hartuar dosjet me dokumentacionin përkatës të familjeve të dëmtuara, tashmë do të kalohet në fazën tjetër atë të rikuperimit dhe rindërtimit të banesave, të cilat janë shpallur të pabanueshme.

Në takim u përcaktuan detyra konkrete mbi verifikimin dhe rakordimin e ecurisë së proçedurave që do të ndiqen nga institucionet përgjegjëse dhe strukturat përkatëse, me qëllim minimizimin e pasojave të shkaktuara tek familjet, të cilat janë në kushte pabanueshmërie.

"Prefekti ka ndjekur dhe po ndjek me përparësi gjendjen dhe ecurinë për rindërtimin e banesave, të cilat janë shpalluar të pabanuara me synim që gjithçka të përfundojë në afat. Ndërkohë që për ata qytetarë, të cilët kanë shprehur gatishmërinë për t’i rindërtuar vetë shtëpitë e tyre, po merren masa për thjeshtimin e procedurave.",– thuhet në njoftimin e prefekturës Durrës.