Në fund të vitit pritet të vendoset Vela, nga e cila ka marrë edhe emrin projekti “Veliera”, i ndërtuar në sheshin mes portit detar dhe Torrës Veneciane, në Durrës.

“Objekti i sheshit publik para hyrjes së portit është në fazën e vendosjes së strukturës metalike, pra objektit Vela. Aktualisht kjo strukturë është në prodhim dhe pritet të vijë në fund të vitit. Më tej do të vijohet me montimin e saj”,- bën të ditur drejtoresha e Shërbimeve në bashki, Emirjana Sako.

Me vendosjen e Velës pritet të marrë formë përfundimtare projekti aq shumë i diskutuar në Durrës, realizimi i të cilit u kushtoi xhepave të taksapaguesve durrsakë rreth 6 milionë dollarë.

Sheshi i ri publik në Durrës ka një sipërfaqe prej 12 mijë metrash katrorë dhe vela mbi të do të jetë 2 mijë metra katrorë. Tenda është rreth 60 metra e gjatë dhe 40 metra e gjerë dhe mbështetet vetëm në katër pika kulmore.

Por vendosja e Velës nuk nënkupton realizimin e plotë të projektit të studios italiane “Archea”, drejtuesi i së cilës, Marco Casamonti, është arkitekti i preferuar i kryeministrit Edi Rama.

“Pas përfundimit të kësaj kontrate ka edhe një fazë tjetër, e cila do të bëjë veshjen e Velës me materiale, të cilat do të përzgjidhen nga studioja projektuese në bashkëpunim me Bashkinë Durrës”,– bën të ditur drejtoresha e Shërbimeve, Emirjana Sako.

Projekti “Veliera” u shoqërua me kundërshti të forta nga shoqëria Civile, e cila paditi në gjykatë bashkinë e Durrësit dhe kërkoi ndryshimin e projektit dhe ruajtjen e gjetjeve historike që dolën në dritë gjatë gërmimeve në zonë. Gjyqi solli për pasojë ndërprerjen e punimeve për më shumë se një vit, duke e kthyer të gjithë sheshin në një “varrezë” të hapur.

Në kohën kur u prezantua projekti i studios italiane u tha se “Veliera” do të ishte një nga simbolet moderne të Durrësit. Për shumë qytetarë të Durrësit ajo është vetëm një sipërfaqe më tepër e betonuar në qytetin bregdetar. Edhe nënkalimi i automjeteve nuk ka zgjidhur në mënyrën më të mirë të mundshme trafikun e rënduar në këtë zonë, megjithëse u premtua e kundërta.

M.B.