Në kuadër të aktiviteteve sensibilizuese të zhvilluara përgjatë gjithë muajit tetor, i njohur botërisht si muaji i ndërgjegjësimit kundër kancerit të gjirit, një i tillë u zhvillua në qendrën shëndetësore të Shijakut.
Ndërgjegjësimi i femrave për të bërë kontrollet e nevojshme, të cilat gjatë këtij muaji kryhen falas pranë spitalit të Durrësit, ishte qëllimi i aktivitetit ku merrnin pjesë drejtoresha rajonale e FSDKSH-së, personeli i qendrës shëndetësore, deputetë, kryebashkiaku Elton Arbana dhe shumë gra nga Shijaku.
Drejtoresha e qendrës shëndetësore Shijak, Jonida Çeliku, tha para të pranishmëve se i gjithë stafi mjekësor është i angazhuar jo vetëm gjatë këtij muaji, por përgjatë gjithë vitit.
“Nga janari i këtij viti dhe deri më tani, nga mjekët e familjes janë të depistuara 840 gra, ndërsa në tetor, 24 gra nga Shijaku kanë kryer edhe kontrollin e mamografisë. Fatmirësisht të gjitha femrat që u janë nënshtruar kontrolleve nuk kanë rezultuar të prekura nga kjo patologji”,– tha Çeliku.
Ndërkohë, drejtoresha rajonale e FSDKSH-së, Natasha Paço, deklaroi gjatë takimit se fushata e muajit tetor duhet të jetë e shtrirë përgjatë gjithë vitit, dhe të gjithë, sidomos femrat, duhet të ndërgjegjësohen të kryejnë kontrollet rutinë. Kapja në kohë e kësaj sëmundjeje, që vitet e fundit ka shënuar rritje të rasteve, shpëton jetë.
Deputetja e Durrësit, mjeke në profesion, Klodiana Spahiu, falenderoi të gjithë organizatorët e këtij aktiviteti sensibilizues dhe nënvizoi se nga viti në vit vihet re ndërgjegjësim më i madh i femrave për të kryer sistematikisht depistimin.
M.B.





