Gjykata e Apelit të Krimeve të Rënda ka lënë në fuqi masën e arrestit me burg në mungesë për biznesmenin Gentian Malindi i akuzuar për sasinë prej 137 kg kokainë që u nis nga Ekuadori me destinacion Shqipërinë.

Pas përfundimit të seancës në një prononcim për mediat, avokati që është edhe babai i tij, Ilir Malindi hodhia akuza për sistemin e drejtësisë dhe qeverinë, ndërsa deklaroi se pasi të dalë e vërteta, që djali i tij nuk është i përfshirë, atëherë do të bëjë dorëzimin e tij.

"Djali im do të dorëzohet kur të plotësohen provat. Prokuroria për Krime të Rënda ka bërë një gabim trashanik, edhe shpërdorim detyre apo falsifikim pasi Ardian Bega është  pyetur në të njëjtën orë e datë nga prokurori dhe oficeri i policisë gjyqësore, ku përfaqësues kanë qenë dy avokatë, ne dyshojmë për falsifikim e shpërdorim detyre të policisë në bashkëpunim me policinë. Kemi të bëjmë me një organizatë kriminale që ka pjesë në prokurori. “Kjo është një poshtërsi që po bëhet, këtu të arrestojnë një herë pastaj mbledhin provat. I di kush janë porositësit e kokainës.Janë dy procesverbale në të njëjtën orë e në të njëjtën datë, kjo është e pamundur të ndodhë. Kjo është një mafie e organizuar  nga Këshilli i Ministrave e poshtë që e kanë katandisur vendin në skëterrë. Gentjani do të japë cdo dëshmi në prani të noterit, do të dorëzohet kur të plotësohen provat,-" u shpreh Malindi.