Joana Qeleshi është dorëhequr sot nga posti i kryetares së Gjykatës së Durrësit, detyrë të cilën e mbante që nga korriku i 2013-s.
Joana Qeleshi nuk i ishte nënshtruar ende procesit të Vetting-ut, në të cilin po kalojnë të gjithë gjyqtarët dhe prokurorët e Shqipërisë. Mësohet se Kolegji i Lartë Gjyqësor ka pranuar kërkesën e gjyqtares për t’u larguar nga detyra.
Gjyqtarja e Durrësit e ka argumentuar dorëheqjen me shfrytëzimin e një mundësie që i është dhënë për të vijuar karrierën në sektorin privat, siç është pozicioni si Drejtoreshë Juridike në Spitalin Amerikan.
“Pavarësisht pasionit tim për profesionin e gjyqtarit, duke qenë se më është ofruar një mundësi profesionale me preferencën dhe ekspertizën time në fushën e Shoqërive Tregtare, kam vendosur të ndjek një stad të ri në karrierën time, duke iu përkushtuar sektorit privat.
Mundësia që më është ofruar në këtë sektor në pozicionin e Drejtores Juridike pranë Spitalit Amerikan, paraqitet si sfidë e re profesionale për mua”, shkruan ajo te letra e dorëheqjes.
Sa i përket Gjykatës së Durrësit, pas dorëheqjes së Qeleshit, funksionet e kryetarit po mbulohen nga zëvendëskryetari i Markeljan Koça deri në caktimin e kryetarit të përkohshëm, apo emërimin e kryetarit të ri.





