Notat e tij nuk ishin shumë të mira kështu që një nxënës shqiptar në Itali nuk u lejua që të shkonte në ekskursion me klasën në Holandë.

Sipas tyre, ai ishte me nota të ulëta dhe duhej të qëndronte në shtëpi për t’i përmirësuar ato. Tashmë 12 vite më pas shqiptari Endri Begaj ka vendosur të hedhë në gjyq shkollën dhe kërkon dëmshpërblim 400 mijë euro.

Avokati i tij Gabriele Magrini, thotë se ky incident, përveçse e traumatizoi duke e bërë të ndihet i përjashtuar, çoi drejt përplasjeve të tjera midis djalit dhe shkollës, të cilat rezultuan me përjashtimin e tij.

Shkolla nuk ia hapi më dyert djalit dhe nuk e lejuan të futej brenda, as me urdhër të drejtorisë së arsimit. Drejtoria mbështeti gjithnjë faktin që mësuesit kishin vepruar drejt duke qortuar masën disiplinore ndaj nxënësit dhe e përjashtuan.

La Stampa shkruan se tashmë 32-vjeçari shqiptar e ka arritur fitoren e parë, pasi gjykatësit e apelit vendosën që çështja duhet të kalojë nga gjykata administrative tek ajo civile, dhe se shkolla duhet të paguajë shpenzimet e gjyqit. Seanca e parë gjyqësore e Endri Begaj do të zhvillohet në vitin 2020.