Hafiz Ali Podgorica, kryebashkiaku i parë i Durrësit, me titujt Myfti e Kadi, hodhi themelet e administratës së parë të qytetit, po ashtu ngriti flamurin e Pavarësisë në qytetin bregdetar.

Intelektual i mirëfilltë, Podgorica në 26 nëntor të vitit 1912 ngriti flamurin e Pavarësisë në Durrës. Administrata që kryesoi Hafiz Ali Podgorica më 1909-1912 për meritat e saj përbën faqe historie në jetën e qytetit të Durrësit.

Por një shekull më pas, Durrësi i ndërtuar nga arkitektë italianë me godina hijerënda dhe bulevarde të gjera, me rrugë të gjelbëruara, parqe dhe lulishte, nuk ekziston më. Qyteti ka ndryshuar tërësisht.

Mbesa e kryebashkiakut të parë Hafiz Ali Podgoricës, e cila jeton në Durrës, ngre një sërë problematikash që kanë të bëjnë me qytetin bregdetar. Durrësi i bukur ka mbetur vetëm në foto.

“Nëse gjyshi im e donte aq shumë sa fali e shkriu të gjithë pasurinë e tij për këtë qytet, kryebashkiakët në radhë prej 30 vjetësh vetëm e kanë vjedhur për interesat e tyre”,– thotë ajo për DurrësLajm.

Pronat publike, parqet dhe lulishtet i kanë zhdukur, nuk ka mbetur më asnjë zonë ku mund të freskohesh nën hije. Betoni i hedhur pa kriter, në çdo hapësirë dhe palmat që kanë zëvendësuar pemët e dikurshme, nuk e freskojnë më këtë qytet, i cili ka humbur identitetin e tij.

K.H.