Deklarata e pedagoges Iris Luarasi të shtunën në mbrëmje në emisionin “Shiko Kush Luan” në Top Channel se katër gazetarë ajo i ka ngelur në klasë kur kanë qenë studentë, por që sot janë të suksesshëm, ka shkaktuar reagime dhe në shumicë nuk është pritur mirë.

Pedagogu dhe eksperti i Ekonomisë, Ilir Ciko, ka reaguar pas deklaratës së saj, duke mos qenë aspak dakord më këtë përmendje të emrave në publik.

Profesor Ciko thekson se me deklaratën e saj pedagogia ka cenuar privatësinë e të tjerëve. Sipas tij, duhen vendosur rregulla të reja loje për të mos cenuar pa të drejtë privatësinë e të tjerëve.

Postimi i Cikos:

Nuk e kam kuptuar asnjëherë se si një person që e quan veten pedagog mund të bëjë publike, madje me krenari dhe në emisione televizive, emra personash që i ka ngelur në lëndën e tij/saj, aq më tepër kur këta janë po aq, a në mos edhe më të njohur për publikun.

Kam 16 vite që kam përcjellë breza studentësh e në ato raste kur kam qenë i shtrënguar për të mos i kaluar, jam i sigurt që askush tjetër veç studentit dhe administratës së universitetit nuk është informuar për vlerësimin përkatës.

Nëse normat e etikës është vështirë të funksionojnë, besoj se duhen vendosur rregulla loje për të mos cenuar pa të drejtë privatësinë e të tjerëve.