Presidenti i Republikës, Ilir Meta ka reaguar pas helmimit nga uji i pijshëm i rreth 900 persona, ndërkohë që ka patur dhe dy raste humbje jete.
Përmes një postimi në “Facebook”, Meta shkruan se qeveria shqiptare duhet t’i gjendur pranë Kosovës me ekspertizë dhe me çdo ndihmë tjetër të mundshme. “Shqipëria dhe Kosova gjithmonë krah njëra-tjetrës”, shkruan Meta.
“Me shqetësim po e përcjell situatën emergjente në komunën e Deçanit. Qytetarëve të helmuar ju uroj shërim sa më parë dhe tejkalimin pa pasoja të kësaj situate. Familjeve të tyre ju shpreh mbështetjen dhe solidaritetin tim më të thellë.
Me besimin e plotë se institucionet shtetërore përgjegjëse dhe drejtësia në Republikën e Kosovës i kanë të gjitha kapacitetet dhe po bëjnë përpjekjet e duhura për zbulimin, zbardhjen e shkaqeve dhe kapërcimin e tyre, e nxis qeverinë shqiptare t’u gjendet pranë, sipas mundësive, me ekspertizë dhe çdo ndihmë të nevojshme. Shqipëria dhe Kosova gjithmonë krah njëra-tjetrës! ”, thekson Presidenti.





