Kryebashkiakja e Durrësit Valbona Sako ka zhvilluar një takim me ambasadorin e Kuvajtit në Tiranë, Fayez Mishari Al-Jassim, i shoqëruar nga drejtorët e dy fondacioneve bamirëse, Korab Kaja i fondacionit “Mirësia” dhe Mirandi Shehaj i fondacionit “Udha e Besimtarëve”.
Tema kryesore e bisedës ka qenë pasojat e tërmetit në Durrës, ku miqtë nga Kuvajti kanë shprehur gatishmërinë e tyre për të ndihmuar në kapërcimin e gjendjes së krijuar nga fatkeqësia natyrore. Kryebashkiakja Sako i ka njohur ambasadorin kuvajtjan dhe drejtuesit e fondacioneve me masat që janë marrë për përballimin e kësaj situate dhe i ka falënderuar ata për mbështetjen e ofruar në këto ditë të vështira për qytetin tonë.
Sako deklaroi se qytetarët e Durrësit nuk mbetën vetëm pas kësaj fatkeqësie pasi përveç mbështetjes kombëtare dhe qeveritare, durrsakëve po iu gjenden pranë edhe ndërkombëtarët siç është edhe rasti konkret i Kuvajtit.
Ambasadori Fayez Mishari Al-Jassim deklaroi se ai e do shumë Durrësin ku vjen çdo fundjavë dhe ka shprehur solidaritetin e tij për familjet e prekura nga tërmeti, por edhe për të gjithë qytetarët e Durrësit.
Fondacionet “Mirësia” dhe “Udha e Besimtarëve”, të cilat kanë dhënë prej vitesh kontribut të madh në bamirësi në vendin tonë, kanë sjellë ditën e sotme 600 pako me ushqime dhe 400 pako të tjera me batanije që do të shkojnë për familjet e prekura nga tërmeti, ndërkohë që në ditët në vazhdim do të vijnë edhe ndihma të tjera.
Po kështu ata kanë marrë përsipër edhe rindërtimin e njërës nga shtëpitë e shkatëruara plotësisht.





