I dëshpëruar Marko Xhampaolo, sepse Milani i tij, jo vetëm që nuk fiton më, por ka humbur çdo ide loje mbi të cilën punohet prej muajsh në “Milanello”. Në konferencën për shtyp trajneri u mundua të shpjegonte shkaqet e krizës kuqezi, por ashtu si skuadra, edhe 52-vjeçari duket se ka humbur idetë, e sidomos besimin, teksa pas ndeshjes deklaroi:
“Tri ditë më parë skuadra bëri një ndeshje me personalitet e duke shfaqur tipare që më pëlqejnë, ndërsa ndaj Fiorentinës gabuam shumë gjëra individualisht dhe luajtëm pa rend. Milani ka lojtarë shumë të fortë, por që i interpretojnë gjëra në mënyrë individuale, çka sjell çorganizim në lojë. Kur gjërat ecin keq, e vetmja mënyrë për t’ia dalë mbanë është veprimi si skuadër, por sot lojtarët që zbritën në fushë, dukeshin sikur nuk ishin stërvitur kurrë më parë me njëri-tjetrin”.
Teksa pritej një qëndrim nga klubi, është vetë Xhampaolo që vendos pikat mbi “i”, duke pranuar takimin në dhomat e zhveshjes me drejtuesit, të cilët, sipas trajnerit, i kanë dhënë përsëri besim.
“Fola me drejtuesit dhe mora përsipër përgjegjësitë e mia si trajner. Unë do të vazhdoj përpara në rrugën time sepse jam i bindur në idetë që kam. Tifozët i kuptoj që mund të jenë të mërzitur dhe i justifikoj, sepse e di se janë mësuar me gjëra të tjera. Nuk kam çfarë të them, tifozi paguan, mbështet Milanin, por duhet të shohim përtej këtyre aspekteve në një moment të vështirë si ky”, sqaroi Xhampaolo për mediat.





