Tekniku i Teutës, Bledi Shkëmbi pas triumfit me Kukësin është shprehur se ekipi reagoi mirë pas humbjes në Korçë, teksa thekson se u rikthye besimi në skuadër. Megjithatë, për Shkëmbin pavarësisht fitores jo gjithçka shkoi mirë.
“Jemi të kënaqur me pikët dhe me pjesën e dytë. Në të parën bëmë shumë gabime elementare por për fat të mirë në pjesën e dytë luajtëm siç kërkonim dhe shënuam atë gol me penallti. Kryesimi? E di shumë mirë se kur dilet kampion. Edhe nëse je për shumë javë në vend të parë, mund të përfundosh poshtë. Ishte e rëndësishme kjo ndeshje pasi reaguam pas humbjes në Korçë dhe u rikthye besimi në skuadër.
Duke pasur parasysh që Kukësi ka sulmin më të mirë në Superiore, duhet të marrim masa dhe futëm Shkallën para mbrojtjes. Me mungesën e Aleksit, mendova se Shkalla duhej dhe bëri mirë te mbulimi i Rrocës dhe në pak raste bëri ato që di Rroca. Në pjesën e dytë fituam qarkullimin me hyrjen e Kallakut prandaj ishte më mirë pjesa e dytë.
Mendoj se kemi alternativa sepse duhet të rikthehen lojtarët në stol. Duhet të ndryshonim lojën dhe të fitonim. Fituam sot por jo gjithçka shkoi mirë. Kallaku ka nevojë për më shumë stërvitje”, u shpreh Shkëmbi.





