Ishte një derbi i shëmtuar për Milanin që, përveç rezultatit, zhgënjeu edhe në paraqitje. Përveç Marko Xhampaolos, askush tjetër nuk foli për disfatën ndaj zikaltërve. Mediat italiane raportojnë se Paolo Maldini dhe Zvonimir Boban u larguan të zhgënjyer nga “San Siro”, duke shmangur çdo kontakt me mediat, por sidomos me trajnerin e ekipit të tyre apo lojtarët.

Ndryshe nga zakonisht, krerët kuqezinj nuk zbritën në dhomat e zhveshjes siç kishin bërë në tri ndeshjet pararendëse.

Me sa duket, ata nuk kanë dashur të shtojnë nervozizmin në klub, por qartësisht në “Casa Milan” është gati të nisë procesi, i cili do të ketë në fokus punën e trajnerit dhe ndikimin e saj mbi rezultatet, të cilat zhgënjejnë në shumë këndvështrime.

Me 6 pikë nga 12 të mundshme, kuqezinjtë nuk e kanë nisur sezonin me këmbën e mbarë dhe Maldini e Boban janë të vetëdijshëm se shumë shpejt do t’u duhet të “futen” në lojë, pavarësisht se dje, me praninë në stërvitje, i kanë konfirmuar besimin Xhampaolos.