Ministrja e Arsimit Besa Shahini ishte e pranishme në shkollën 9-vjeçare “14 Nëntori” në Durrës, ku ndoqi nga afër procesin e shpërndarjes së librave falas për nxënësit e klasave 6-9, të cilët u përkasin kategorive të veçanta si familje në nevojë, romë, egjiptianë, pakica kombëtare etj.

Në prani të prindërve të fëmijëve, ministrja Shahini shprehu kënaqësinë që me këtë nismë po mbështeten sadopak të gjithë ato familje që më së shumti kanë nevojë për ndihmë.

Prindërit thanë se falë kësaj skeme mbështetëse ndihet edhe lehtësimi në buxhetin e tyre familjar, sidomos për ato që kanë më shumë se një fëmijë në shkollë.

Për këtë vit shkollor janë rreth 70 mijë nxënës përfitues direkt nga skema mbështetëse e qeverisë shqiptare për shpërndarjen e librave falas. Nxënësit i përkasin klasave 6-12 dhe janë pjesë e 16 kategorive të veçanta si familje në nevojë, me aftësi të kufizuara, fëmijë me statuse sociale të caktuara, viktima të trafikut, minoritarë etj.