Teuta e ka nisur shumë mirë këtë sezon. Janë luajtur 270 minuta dhe janë të tretët, po aq sa kanë Tirana e Kukësi. Starti është më shumë se bindës dhe po ta krahasosh me atë të një sezoni më parë, e kupton se janë në rrugën e duhur. Pas 3 javësh vjet kishin mbledhur 5 pikë, ndërsa tani kanë 7.

Nga ekipi i edicionit të shkuar kanë rezistuar vetëm 9 lojtarë (Celeski, Arapi, Shkalla, Kallaku, Beqja, Vila, Gashi, Avdyli e Vecaj), ndërkohë që pjesa tjetër është afruar në këtë merkato. Dhe përtej ndryshimeve, kjo skuadër po bind jo vetëm me rezultate, por dhe me një lojë argëtuese.

Organizimi i “djemve të detit” është perfekt dhe në Durrës janë të bindur se do të kapin majat në këtë kampionat. Me një projekt serioz në letër, duke nisur nga kthimi në shoqëri aksionere për të vijuar me përmirësimin e infrastrukturës, ndërtimin e skuadrës, tashmë durrsakët kanë edhe një armë më shumë në favor të tyre: Bledi Shkëmbin.

Përveçse konsiderohet një nga trajnerët e rinj më të mirë të kampionatit shqiptar, duket se e shtyn përpara grupin për të realizuar ambicien e të gjithëve së bashku. Shkëmbi-Teuta po kthehet në një binom, ku “uria” për sukses e shtyn përpara.

Korçari e drejton Teutën prej verës së 2018-s dhe realizoi misionin për ta dërguar ekipin në Kupat e Europës. Por tashmë kërkohet më shumë, një trofe i munguar. Ai ka ardhur në krye të Teutës nga një periudhë e lavdishme si futbollist te Skënderbeu, ndaj edhe me bregdetarët pret që të marrë… kupa.