Klevi Elezi, student në UAMD
Reforma që nisin e “zbatohen me sukses”. Rrugë që shtrohen, projekte që priten të startojnë. Policia në krye të detyrës dhe në “luftë me krimin e organizuar”.
Shkolla që restaurohen e libra falas në arsimin fillor. Shëndetësi falas dhe kushte të mira spitalore. Ulje e papunësisë dhe programe mbështetje për të rinjtë.
Por, një zë i mekur sfidon madhështinë e kësaj tabloje perfekte që propagandohet kudo: “Unë do të iki nga Shqipëria”.
“Edhe unë, edhe një miku im, edhe motra ime”, shtohen fjalët pas zërit të parë.
Ditë pas ditë e dëgjojmë edhe më shpesh këtë togfjalësh, shoqëruar nga mungesa e shpresës, e të ardhmes, e mundësive dhe një jetese me të mirë. Secili prej nesh njeh të paktën një person që është larguar nga Shqipëria vitet e fundit, e shumë të tjerë që ditë pas dite kërkojnë një mundësi për të ikur.
Po pse…?
Ndryshe nga tabloja e paraqitur në fjalime deputetësh apo edhe kryeministri, fillon e mendon:
Studion që të fitosh një degë të mirë, të vazhdosh studimet master, të kesh një gjuhë të huaj të mbrojtur, të përgatisësh aplikime e dokumente që në fund do të mbeten thjesht nëpër dosje të institucioneve shtetërore e më vonë do të përfundojnë në koshin e mbeturinave. Sikur të mos kishe shpenzuar ato lekë do uroje, por është tepër vonë.
Edhe kur ka dritë në fund të tunelit. Kur arrin të fitosh një vend pune në ndonjë biznes privat, aty ku siguracionet do të jenë minimale, ku rroga nuk do të merret kurrë në kohë e kur rritja në karrierë nuk është në përpjesëtim të drejtë me aftësitë, prapë nuk ndihesh mirë.
Madje edhe kur mendon, të hapësh edhe një biznes privat, pse jo për një të ardhme më të mirë e të sigurt financiarisht, të ardhurat e pamjaftueshme për të mbuluar shpenzimet e muajit, nuk të lënë shumë hapësirë për të ëndërruar…
Gjithçka që të jep forcë është entuziazmi i moshës e shpresa se do të behet më mirë, se secili do të marrë atë që meriton dhe mbi të gjitha ligji do jetë i njëjtë për të gjithë. Por vitet kalojnë, krijon familje dhe bëhesh me fëmijë. Sërish asgjë nuk ka ndryshuar. Ambiciet për karrierë lihen mënjanë dhe prioriteti i vetëm është familja e shkollimi i fëmijëve. Por, kur përballesh personalisht me çerdhet, kopshtet dhe shkollat, kupton se gjithçka ke dëgjuar apo parë në kronika kanë qenë një farsë. Realiteti është krejt tjetër…
Fëmijët rriten e shkojnë në universitet dhe duket sikur koha kthehet sërish prapa e ngjarjet do përsëriten. Teksa për ty, ecën përpara drejt përmbushjes së viteve të punës e daljes në pension. E me aq pak siguracione të paguara dhe një pension miminal, ministri jep lajmin e mirë: “5 mijë lekë shpërblim në fundvit për pensionistët”.
E pavarësisht këtyre, në një bisedë të gjatë me veten, papritur bërtet: Edhe unë do iki nga Shqipëria!