Policia greke ka arrestuar dy shqiptarë pasi janë kapur me një sasi prej 91 kg e 150 gr kanabis në doganën e Mavromatit (Qafë-Botë).

Droga ishte fshehur në shasinë e një automjeti me targa shqiptare, ndërkohë që ishte prerë dhe gjysma e serbatorit të makinës që të fshihej një pjesë e drogës.

Kanabisi i kapur kishte destinacion Athinën, ndërkohë që policia po punon për kapjen e personave të tjerë të përfshirë në këtë ngjarje ku dyshohet se mund të jenë grekë.

Mjeti kishte kaluar doganën shqiptare dhe u ndalua më pas në atë greke nga oficerët e doganës dhe antidrogës së Igumenicës.