Një gjykatë angleze ka dënuar sot me 3,5 vite burg një të ri shqiptar për veprën penale “posedim dhe shpërndarje droge” në Mbretërinë e Bashkuar. Mediat angleze shkruajnë se 22-vjeçari, Abdul Cakalli, kishte hyrë në Britaninë e Madhe ilegalisht, ndërsa u kap teksa ngiste një makinë tip ‘Vauxhall Astra’ në Southborough, pranë zonës së Mançesterit.  Policia britanike i gjeti 22-vjeçarit 42 pako çamçakizash, brenda të cilave kishte fshehur një sasi droge, e llojit kokainë.

Nga hetimet e kryera u zbulua se Cakalli kishte falsifikuar edhe një patentë portugeze me emrin Alfred Santos. Ai pranoi akuzat dhe tha se kishte shitur drogë për të siguruar para, të cilat do t’i përdorte më pas për operimin e nënës në Shqipëri. Megjithatë trupa gjykuese nuk i mori në konsideratë argumentet e shqiptarit dhe në fund vendosi ta dënojë atë me 3.5 vite burg, ndërsa pas vuajtjes së dënimit ai do të dëbohet drejt Shqipërisë.