Parandalohet një ngjarje e rëndë kriminale brenda familjes si pasojë e një konflikti mes çiftit të bashkëshortëve.
Policia ka arrestuar në flagrancë 60-vjeçarin R.S., banues në Bathore, Kamëz, i cili dyshohet se do të kryente një krim në familje.
NJOFTIMI I POLICISË
Arrestohet në flagrancë një shtetas, si dhe bllokohet në cilësinë e provës materiale një armë zjarri automatik me qytë druri, 2 karikatorë dhe 96 fishekë, të cilat u gjetën gjatë kontrollit në banesë.
Shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr. 5 Tiranë, pas marrjes së informacionit se në Bathore, Kamëz po ndodhte një konflikt i ashpër midis dy bashkëshortëve, organizuan menjëherë punën dhe me veprimet e shpejta dhe profesionale bënë të mundur parandalimin e mëtejshëm të këtij konflikti duke arrestuar në flagrancë shtetasin:
– R. S., 60 vjeç, banues në Bathore, Kamëz.
Gjithashtu falë veprimeve të shpejta është bërë i mundur edhe bllokimi i armës së zjarrit automatik me dy karikatore me fishekë, me të cilën ky shtetas dyshohet se do kryente krim në familje, si dhe 96 fishekë.
Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Tiranë, për veprat penale “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit”, dhe “Dhuna në familje” në ngarkim të shtetasit R. S.





