Penalltitë janë kthyer në aleatin më të fortë të Interit të Antonio Contes në fazën përgatitore të kësaj vere. Me 11-metrsha ashtu si ndaj Paris Saint Germain dhe Tottenham, zikaltrit mposhtën edhe Valencian duke bërë të tyrin trofeun Naranja.
Në Mestalla koha e rregullt përfundoi në barazim 1-1 ndërkohë që te penalltitë Interi u tregua më i saktë pasi i realizoi të gjithë duke fituar 7-6, gabimin e vetëm për Valencian e bëri mbrojtësi Garay që e dërgoi topin në tribunë sepse dy portierët Handanovic dhe Cillesen nuk pritën asnjë 11-metërsh.
Pjesa e parë ishte më e mirë për Valencian që përveç se gjeti golin me një goditje me kokë të Soler ishte më kërkuese. Megjithatë në fraksionin e dytë zikaltrit u rritën në lojë dhe u shpërblyen pak minuta para fundit kur talenti 17-vjeçar Esposito i ardhur në fushë nga stoli fitoi një 11-metërsh të cilin Mateo Politano e kthehu në gol.
Nga pika e bardhë shënuan të gjithë me rradhë për Interin e Valencian deri te goditja e 7-të, kur Garay gaboi për vendasit ndërsa qëndërmbrojtësi Bastoni u tregua i saktë dhe i dha Interit të Conte fitoren e tretë radhazi me penallti.





