Teuta është zhvendosur prej disa ditësh në Korçë, ku po zhvillon fazën përgatitore për sezonin e ri. “Djemtë e detit” kanë zhvilluar dje miqësoren e radhës me një kundërshtar të fortë, siç është Vllaznia.
Kjo miqësore luksi, e luajtur në stadiumin “Skënderbeu”, është mbyllur në barazim, 0- 0. Vërtet me fat Vllaznia, pasi tri herë i erdhën në ndihmë shtyllat në rastet e Nikaç, Vilës dhe Kallakut. PJESA E PARË – Kjo pjesë loje u dominua nga Teuta, që vazhdimisht luajti në fushën kundërshtare.
Ishte një pjesë pa shumë raste të rrezikshme në portat kundërshtare. Teuta pati rastin e parë të ndeshjes me Aleksin, i cili goditi nga jashtë zonës, por pa gjetur kuadratin. Arbër Çyrbja më pas u bë protagonist i një kundërsulmi të shpejtë të Teutës, pasoi bukur me finte për Nikaç, por sulmuesi i durrsakëve humbi ekuilibrin dhe nuk mundi të finalizonte.
Edhe shkodranët tentuan me një kombinim mes kapitenit Lika dhe Krujës, gjuajtja e të cilit u prit nga portieri Çeleski.Shkalla provoi të shënonte me kokë, pas krosit nga një goditje këndi, por priti Sherri. Teuta ishte më këmbëngulëse dhe Kallaku, pasi zotëroi një top jashtë zonës, kaloi Malotën dhe goditi fort, por jashtë kuadratit.
Në krahun tjetër, Pusi gjuajti fuqishëm, por drejt e në duart e Çeleskit. Krymi futi një top të bukur në zonën e Teutës, por në fund mbyll mbrojtësi Shkalla me kokë. Portieri Sherri, një nga më të mirët në fushë, arriti të priste më pas një gjuajtje të sulmuesit Nikaç, i cili mori një të bukur nga Kallaku.
Fundi i pjesës së parë ishte më i mirë për Teutën. Nikaç dribloi një mbrojtës kundërshtar dhe tentoi të shënonte me një parabolë, por Sherri edhe këtë radhë bëri mrekullinë, duke e devijuar topin, që më pas u përplas edhe në shtyllë. Avdyli krosoi nga goditja e këndit për Teutën dhe Shkalla goditi me kokë, Sherri priti këtë herë pa problem.
Në pjesën e dytë ritmi i ndeshjes ka qenë disi më i ulët, megjithëse rastet për “djemtë e detit” nuk kanë munguar. Emiljano Vila goditi fort pas një kombinimi me Kallakun, por nuk ishte i saktë. Trajnerët filluan ndërkohë me zëvendësimet. Todorovski krosoi në zonë dhe Kapllani goditi me kokë, por edhe jashtë.
Në minutën e 60-të, Xhemalaj bëri një goditje mjaft të bukur me gjysmëroveshatë, por sërish portieri Sherri u përgjigj me një superpritje. Durrsakët ishin pa fat, teksa në minutën e 64-t Vila goditi traversën. U kundërpërgjigjën mjaft mirë edhe shkodranët me Shtubinën, i cili kaloi bukur në të majtë dhe vertikalizoi për Krujën, por mesfushori është zënë në pozicion jashtë loje.
Vila fitoi një goditje dënimi në pozicion të favorshëm dhe ekzekutimin e saj e mori përsipër Kallaku, por topi i goditur prej tij, pasi u devijua, u përplas në shtyllë dhe më pas mbrojtësi Malota largoi rrezikun.
Rasti i fundit i ndeshjes i takoi Krujës, i cili goditi me të majtën nga një goditje dënimi, por portieri Çeleski ishte në pozicion. Është mbyllur kështu pa fitues kjo ndeshje në Korçë, por me një lojë më të mirë të durrsakëve.





