Uendi Vecaj “skanon” përgatitoren. Mesfushori mendon se Teuta është në rrugën e duhur. Ai vlerëson stërvitjen e zhvilluar gjatë kësaj periudhe, ndërsa mendon se faza në Korçë do t’i japë mundësinë që të jetë në 100% e formës së tij.Gjatë një deklaratë 22-vjeçari analizon edhe problemin me golin. Ai vlerëson faktin që skuadra prodhon shumë raste, megjithatë mendon se duhet të jenë më të kujdesshëm në finalizim.
“Po përgatitemi më shumë se intensivisht. Nga nesër (sot) do të kryejmë nga dy seanca stërvitore në ditë, çka do të thotë që ngarkesa do të rritet ndjeshëm. Do të jetë e lodhshme, por faza këtë qëllim ka”.
“Fatmirësisht nuk kemi pasur dëmtime dhe lojtarët janë në formë të mirë. Një gjë të tillë e kemi treguar edhe të shtunën në miqësore, kur luajtëm dhe fituam me Tërbunin. Vërtet kemi fituar thellë, por edhe shpërdoruam. Kemi krijuar shumë raste për shënim, në një ndeshje të cilën e kishim marrë shumë seriozisht të gjithë, pavarësisht se vetëm një testuese. Në vijim duhet të finalizojmë më shumë raste që na jepen”, u shpreh fillimisht shkodrani.
Më tej, ai komentoi edhe nisjen e kampionatit dhe kundërshtarët. “Në ditët e mbetura do të vazhdojmë të stërvitemi fort për të qenë gati për ndeshjen hapëse. E dimë që nuk do të jetë e lehtë, sepse edhe kundërshtarët janë forcuar gjatë kësaj periudhe. Por ne jemi një grup lojtarësh me shumë vlera dhe e njohim njëri-tjetrin. Kjo është një arsye që do të na ndihmojë për t’u paraqitur sa më mirë”, përfundoi Uendi Vecaj.





