Vijon operacioni antiinformalitet në drejtim të bizneseve që i shmangen detyrimeve ligjore dhe fiskale. Këtë herë inspektorët e Drejtorisë së Përgjithshme të Tatimeve së bashku me ata të Drejtorisë së Përgjithshme të Metrologjisë kanë ndaluar në depozitat e karburanteve në Porto-Romano.

"Në bazë të urdhrit të ministrit ne kemi dalë në terren, Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve bashkë me Drejtorinë e Përgjithshme të Metrologjisë duke inspektuar çdo subjekt dhe duke bërë të mundur që pompat në bazë të ligjit të shesin vetëm në regjim automatik. Sot kemi ardhur në Porto-Romano, ku janë të gjitha magazinat doganore dhe inspektorët janë duke plumçosur karburantet", u shpreh drejtorja e Përgjithshme e Tatimeve, Delina Ibrahimaj, duke shtuar se ky është një proces që do të shtrihet në të gjithë territorin e Shqipërisë dhe do të prekë nga më të mëdhenjtë te më të vegjlit, pasi ligji duhet respektuar njëlloj.

I pranishëm ishte dhe zëvendëskryeministri Erion Braçe, i cili u shpreh i vendosur për rikthimin e ligjshmërisë në çdo subjekt.

"Ne po mundohemi të kthejmë ligjshmërinë në të gjithë tregun, jo vetëm tregun e karburanteve, por në të gjitha tregjet, kryesisht ato që kanë transaksionet më të mëdha dhe natyrisht kanë dhe detyrimin t’iu nënshtrohen detyrimeve ligjore dhe fiskale. Ne nuk duam asgjë përtej kësaj. Ne duam që çdo subjekt në çdo treg të kryejë një transaksion të ligjshëm e për të cilin të lëshojë kupon, faturë tatimore. Inspektorët tashmë po garantojnë që në tregun e karburanteve të mos ketë më regjim manual. Ne do çojmë deri në fund zbatimin e ligjit në këtë aspekt", tha ndër të tjera Braçe.​