Ka dështuar mbledhja e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, e cila ishte thirrur për t’u mbajtur në orën 10:00 të kësaj të shtune për të marrë në shqyrtim kërkesën e bërë nga tre parti opozitare për nisjen e procedurave për zgjedhjet lokale më 13 tetor.
Shkak u bë mungesa e katër anëtarëve të mazhorancës. I vetmi që u paraqit në mbledhje ishte kryetari i KQZ-së Klement Zguri.
“Pa kuorum nuk mund të hapet mbledhja. Kolegët kanë deklaruar se janë me leje dhe nuk janë. Ju kërkoj ndjesë, nëse do të kemi mbledhje tjetër është e papërcaktuar deri tani”.
Përfaqësuesit ligjorë të tre partive partive opozitare e cilësuan politike mungesën e 4 anëtareve të shumicës. Pavarësisht qëndrimit të mazhorancës, ata thanë se do të regjistrohen të hënën si subjekte elektorale.
Në letrën drejtuar KQZ-së, tre partitë opozitare, ajo Republikane, Agrare dhe LSI duke e konsideruar të paligjshëm 30 qershorin, theksojnë se data e e re e caktuar me dekret për zhvillimin e vendoreve është 13 tetori, ndaj në bazë të Kodit Elektoral, Komisioni duhet të fillojë përgatitjet për organizimin dhe mbarëvajtjen e procesit.





