Policia e Durrësit njoftoi sot për finalizimin e operacionit të koduar "Gjobëvënia" si rezultat i të cilit u arrestuan tre persona, pasi kishin gjobitur një biznesmen në qytetin bregdetar me anë të kanosjes dhe dhunës.
Mësohet se bëhet fjalë për shtetasit; Lulzim Zalla, 45 vjeç nga Fushë Kruja, i cili konsiderohet nga policia me rrezikshmëri të lartë në fushën e krimeve ndaj personit, 26-vjeçari Egi Shullazi nga Kruja dhe Klodjan Estrefi 40 vjeç nga Xhafzojat e Durrësit.
Në bashkëpunim me njëri – tjetrin, tre të arrestuarit kanë shtrënguar për dhënien e një pasurie prej 50 000 eurosh, shtetasin N.L., banues në Durrës. Gjatë operacionit, në momentin e ndërhyrjes, policia sekuestroi shumën 5000 euro, të cilën e kishin vënë si këst të radhës për t'u paguar nga shtetasi N. L.
Gjithashtu në cilësinë e provës materiale u sekuestruan dhe 3 aparate celulare dhe 1 automjet. Materialet do t'i kalojnë Prokurorisë Pranë Gjykatës së Shkallës së Parë për Krimet e Rënda Tiranë, për hetime të mëtejshme në ngarkim të shtetasve të lartpërmendur, për veprën penale “Shtrëngimi me anë të kanosjes ose dhunës për dhënien e pasurisë ", në bashkëpunim.





