Zjarri i rënë pasditen e sotme në një objekt në Shkozet pranë linjave të transmetimit të energjisë ka shkaktuar ndërprerje të furnizimit me energji elektrike në Durrës dhe zonat përreth.
Sipas njoftimit zyrtar, rreth orës 15:40 u stakuan linjat 110 kV që furnizojnë nënstacionin e Shkozetit, duke lënë pa energji elektrike qytetin e Durrësit. Njëra prej linjave është mbajtur jashtë funksionit si masë sigurie, me kërkesë të shërbimit zjarrfikës, për të mundësuar ndërhyrjen në zonën e përfshirë nga flakët.
Brigadat e Operatorit të Sistemit të Transmetimit (OST) ndodhen në terren dhe po punojnë për riparimin e defektit dhe dëmeve të shkaktuara në linjën 110 kV, menjëherë pas shuarjes së zjarrit.
Ndërkohë, Operatori i Sistemit të Shpërndarjes (OSSH) ka marrë masa për furnizimin e një pjese të konsumatorëve përmes linjave alternative. Në qytetin e Durrësit energjia elektrike është rikthyer pjesërisht, ndërsa puna vijon për normalizimin e plotë të furnizimit në të gjitha zonat e prekura.





